Të shtëna me kallash te Kisha Ortodokse në Kllokot, arrestohen 3 persona

Hetimet e Drejtorisë Rajonale në Gjilan në lidhje me një rast të të shtënave me armë në oborrin e Kishës Ortodokse në Kllokot, që dyshohet të ketë ndodhur në fillim të këtij viti. Disa persona të armatosur dyshohet se kanë gjuajtur me kallashnikov në ajër dhe më pas janë larguar.

Nga kamerat e sigurisë, Policia ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit, njëri prej të cilëve ndodhej në arrati deri më sot, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i njëjti është kapur sot në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, ku gjatë kontrollit është verifikuar se i dyshuari A.S., ishte në listën e personave të kërkuar. I njëjti është arrestuar dhe pas shoqërimit në stacion policor, i është caktuar masa e ndalimit policor.

Ai dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm me përdorimin e armëve, me të cilat kanë shtënë disa herë.

Policia kishte kryer kontroll në shtëpitë e të dyshuarve, me urdhëresë të Gjykatës, me ç’rast ishin prangosur dy të dyshuarit e tjerë, ndërsa i arrestuari i fundit kishte qëndruar në arrati për më shumë se 10 ditë.

Ndaj tyre është ngritur edhe kallëzim penal, teksa veprimet e tjera do të merre brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Lexo edhe:  200 metra afër, incidenti i dy avionëve mbi qiellin e Kosovës