Të shtëna me armë zjarri te Tregu i Gjelbër në Prizren, Policia gjen tri gëzhoja në vendngjarje

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Disa të shtëna me armë janë dëgjuar edhe mbrëmë në hapësirat e Tregut të Gjelbër në Prizren.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një qytetar e ka njoftuar Policinë, me ç’rast njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Pas veprimeve hetimore, sot janë gjetur në vendngjarje tri gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar dhe me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  Horror nga Serbia: Një person e hedh veten në erë në stacion hekurudhor