Të shtëna me armë zjarri në Fushë Kosovë, intervenon Policia

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë dhe për pasojë po cenohet siguria e qytetarëve, të cilët ka raste kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Të tilla raste ndodhin pas incidenteve të ndryshme, konflikteve verbale, përleshjeve e kanosjeve, raporton Gazeta Sinjali.

Disa të shtëna janë dëgjuar edhe mbrëmjen e së shtunës në rrugën ‘Gaula Rosi,’ në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se gjuajti për motive akoma të panjohura.

Sinjali mëson se një qytetar e ka njoftuar Policinë dhe si rezultat njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është hasur i dyshuari, të cilit i është gjetur një armë dhe rreth 10 fishekë.

Burimet thonë se në vendngjarje janë kryer ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast janë sekuestruar arma me municion, që dyshohet të jetë përdorur.

Ndërsa i dyshuari, është shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të procedurave, ndaj tij është urdhëruar inicimi i rastit si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Lexo edhe:  Grabitje në një pompë benzine: Hajnat e armatosur s’arrijnë të kapin shumë para – ikin me monedha metalike