Të shtëna me armë në Veternik, plumbat përfundojnë në murin e një lokali
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Të shtëna me armë u shkrepën edhe mbrëmë në rrugën ‘Shkupi’ në Veternik të Prishtinës, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në një lokal afër.
Sinjali mëson se menaxheri i lokalit ka njoftuar Policinë lidhur me rastin dhe ata kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave se si ka ndodhur ngjarja.
Njësitë policore kanë parë vrimat në mur që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit, mirëpo nuk dihen ende personat e dyshuar.
Lidhur me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.