Të shtëna me armë në Malishevë, të riut i gjendet pistoleta në brez
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Disa të shtëna me armë janë dëgjuar mëngjesin e sotëm pranë një kafeneje në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë.
Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në personin e dyshuar.
Gjatë kontrollit trupor, 21-vjeçarit i është gjetur në brez arma e zjarrit bashkë me karikator dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar se ka shtënë me armë në ajër.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.