Suharekasi i del në pritë dhe tenton ta fus me zor në veturë ish gruan dhe djalin e tij, Policia në kërkim të tij

Shpesh herë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë të pranojnë që më nuk janë bashkë.

Një rast i tillë është raportuar mëngjesin e sotëm në Suharekë, ku një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ishte duke ecur rrugës bashkë me djalin e saj të mitur kur i dyshuari e ka kapur për krahu dhe ka tentuar ta fus me dhunë në veturë. Më të keqen e parandaluan disa kalimtarë të rastit të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë shpëtuar gruan dhe fëmijën e saj.

Por si pasojë e dhunës nënë e bir kanë marrë lëndime trupore, për çka kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa rasti është denoncuar edhe në Polici.

Viktima ka deklaruar se është e pajisur me urdhërmbrojtës, por që kjo nuk është respektuar nga i dyshuari.

Njësitë policore më të marrë informatën janë vënë në lëvizje që të kapin të dyshuarin, mirëpo i njëjti ende nuk është arrestuar.

Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar për ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Moszbatim i urdhrit të mbrojtjes nga Gjykata’. Veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Largimi i barrikadave, Haradinaj: Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it