Sot i jepet lamtumira e fundit 38-vjeçarit që u vra aksidentalisht nga shoku i tij në Prishtinë

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje për familjen Beka nga fshati Koliq, pas vrasjes së familjarit të tyre, Fidaimit, i cili u qëllua aksidentalisht nga shoku i tij, Përparim Canolli. Ata kishin dalë për gjuetir kur ndodhi rasti tragjik.

Në Facebook tashmë kanë njoftuar se varrimi i tij do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Koliq të Prishtinës.

Ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit të djeshëm kur viktima dhe i dyshuari kishin dalë për gjueti. Shkrepja e armës aksidentalisht nga Canoli rezultoi fatale, për çka ai u arrestua.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe brenda afatit do të bëhet kërkesa për paraburgim.

Ulaj po ashtu njoftoi për veprat që rëndojnë mbi të dyshuarin.

“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.

Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masës për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë penale.”, tha Ulaj për Sinjali.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Qëndruam bashkë në villë por" - Denoncimi i të miturave nga Podujeva, njëra raporton se u dhunua e tjetra u sulmua seksualisht