S’ndihem e rrezikuar”, 30-vjeçarja e denoncon burrin për dhunë, kërkon të kthehet me të në shtëpi

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë  në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua 30-vjeçare nga Bardhoshi i Prishtinës, e cila e ka raportuar bashkëshortin, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj në vazhdimësi, që prej kohës kur janë martuar, por rasti i fundit kur tentoi ta dëbojë nga shtëpia e ka shtyrë që ta denoncojë.

Sinjali mëson se si rezultat i raportimit, viktima dhe i dyshuari janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë versionet e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.

Sipas informacioneve të para, 30-vjeçarja ka deklaruar se nuk ndihet në rrezik dhe dëshiron të kthehet në shtëpinë e tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti si “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Trafikohen tri vajza në Skenderaj: Zbulohet grupi i dyshuar që i shfrytëzuan dhe iu mundësuan shërbime seksuale