Si u vra e reja shqiptare nga mjekët serbë në QKUK në 1998’ën, rrëfen e ëma

Me 19 shtator të vitit 1998, Valentina Maloku u plagos nga një snajperist serb. Pas kësaj e reja nga Plloqica e Malishevës u transferua në QKUK, ku në vend të mjekimit u përball me maltretimet dhe torturat e mjekëve serbë. Gjatë gjithë kohës më të ishte nëna e saj, Zylë Maloku.

Ishte fëmija më i vogël i shtëpisë. Por, nga gjashtë fëmijët e familjes Maloku, Valentina e kishte fatin më të trishtë.

19-vjeçarja u plagos nga një snajperist serb, me 19 gusht të vitit 1998, në Plloqicë të Malishevës.

Nëna e Valentinës, Zylë Maloku, rrëfen për momentet kur e bija u transportua në klinikat e improvizuara ushtarake.

“E ka rrok plumbi, unë kam qenë e shtrirë në traktor prej tensionit të lart. E kanë çuar në Gradicë, kur kemi shkuar më pa me dhëndrin ish kanë tu piskat. Tha ‘këqyre nënë ku jam plague. Unë kurrë më nuk çohem’. I thashë, po se ka mjek këtu plot”, thotë nëna e Valentinës, Zylë Maloku, për tëvë1.

Por, minutë pas minute, gjendja e Valentinës po përkeqësohej. Për këtë, ajo u transferua  në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Këtu, për studenten e historisë, në vend të mjekimit, filluan torturat e maltretimet nga mjekët serbë.

“Ai (mjeku) doli e mori. E fotografoi e tu bërtit e tu i ra çikës, i tha je kanë UÇK. I thashë, mos i bjer çikës. Ee ai m’ra edhe mu”, thotë nëna e Valentinës.

Por, edhe plagosja e Valentinës duket se kishte një shkas.

Babai, Limani, që tani vuan nga demenca dhe vëllai, Agroni, i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, Valentina e shtrirë në spital dhe e lidhur për radiatorëve kishte dëgjuar edhe disa nga bisedat e policëve serbë.

E, për nënën kishte një porosi.

Lexo edhe:  Liberalizimi i vizave për Kosovën sot në rend dite në Bruksel

Reklama

“Nënë, baci e Agroni mos të vijnë me më pa”.

E pak kohë nga kjo bisedë Valentina Maloku ndërroi jetë, pas torturave të mjekëve dhe policëve serbë.

Por, familjes Maloku nuk iu dha asnjë raport zyrtar për shkaqet e vdekjes të bijës së tyre.

Për këtë arsye edhe tërheqja e trupit të saj nga morgu i Prishtinës ishte i vështirë.

Kjo u mundësua vetëm më ndihmën e aktivistes për të drejtat e njeriut, Flora Brovinës dhe ish-veprimtari të çështjes kombëtare, Nebih Balaj.

Ky i fundit tregon fjalët që ja tha babai i Valentinës, Limani, kur ia dorëzoi trupin e pajetë të vajzës.

“Më ka than kur e ke pru atje sikur me martu Valentinën, do të thotë kena mujt me marrë e nuk ka humb trupi si i shumë të tjerëve”, thotë Balaj.

Por, rasti i Valentina Malokut nuk është i vetmi kur pacientët shqiptarë u rrahën e maltretuan nga personeli serbë në QKUK.

Të gjitha këto raste janë përmbledhur në këtë libër të ish-kirurgut në QKUK, Salih Krasniqi.

“10 mijë e 543 kanë qenë të pranuar nga 1 maji 98 deri me 20 qershor 99 – prej tyre 6 mijë e 144  kanë qenë shqiptarë, prej tyre kanë qenë me sëmundje, por prej tyre 1 mijë e 239 pacientë që i kam trajtuar e që në bazë të hulumtimeve kanë qenë me diagnoza të dyshimta”, thotë ish-kirurgu në QKUK, Salih Krasniqi.

Ish-kirurgu, thotë se vetë ishte dëshmitar i keqtrajtimit të pacientëve shqiptarë në klinikat e QKUK-së.

“Ka qenë i lidhur Yll Morina  që e kanë operu gjashtë herë. Ka qenë Gjok Ndrecaj me plagë në bark e që ia hapnin varrën me automat. Ka qenë Isë Hoxha të cilit ia fiknin cigaren në trup”, tha ai.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës gjatë një bastisje gjen narkotikë, armë zjarri dhe municion në Leposaviq

Sipas hulumtueses dhe anëtares së bordit të drejtorëve të Shëndetit Publik, Jennifer Leaning “me shkallëzimin e luftimeve në Kosovë, sjelljet e personelit mjekësor dhe të policisë serbe ndaj pacientëve shqiptarë janë acaruar deri në atë nivel saqë lirisht mund të quhet Terrorizëm Institucional”./teve1./