Shtyhet seanca gjyqësore ndaj tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe

Seanca gjyqësore ndaj tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe të mërkurën, është shtyrë për sot në orën 15:30.

Familjarët e policit, Shemsi Mustafa, kanë thënë për Insajderin se deri më tani policëve të kidnapuar nuk i kanë dhënë leje të bisedojnë me ta në telefon.

Siç raporton REL, tre policët i janë nënshtruar procedurës së intervistimit në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë.

Prokuroria e Kralevës nuk iu përgjigj pyetjeve se çfarë akuzash rëndojnë mbi ta.

Qeveria e Kosovës e konsideron arrestimin e tyre si “rrëmbim” në territorin e saj.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Autoritetet në Serbi duhet të vendosin gjatë së premtes për trajtimin e mëtjemë të rastit të tre policëve, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.

Ky është afati ligjor brenda të cilit Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masë paraburgimi dhe, më pas, gjyqtari ta marrë vendimin.

Nëse nuk merret masa e paraburgimit, policët e arrestuar duhet të lirohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

Lexo edhe:  7 vjeçarja nga Kosova rrezikoi të mbytej në Shëngjin, shpëtohet nga turistët