Shteti e “demolon” HIB Petrolin, e dënojnë me 1 milion euro për skemën kriminale të shmangies së akcizës

Përpjekjet disa mujore të shefave të korporatës “HIB Petrol” për t’ia faturuar një ish-menaxheri mashtrimet milionëshe nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Biznesemenët që futen në grupin e më të fuqizuarve gjatë “regjimeve” të kaluara do të përballen me një gjobë të lartë të vendosur nga pushtetit i kryeministrit Albin Kurti. Gjoba peshon rreth 1 milionë euro. Është vendosur nga Doganat e Kosovës. Në muajin qershor të këtij viti.

Kjo gjobë milionëshe është shqiptuar për shkak të përfshirjës së kompanisë në një skemë kriminale me dy kompani tjera private. Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për këtë skandal.

Autoriteteve doganore të Kosoves për muaj të tërë me radhë i dërgoheshin dokumente nga korporata HIB Petrol. Aty shënohej se dokumentetet ishin të nënshkruara nga zyra ndërlidhëse e Greqisë, si subjekt pranues i derivateve të naftës. Importi i naftës për ambasadat, zyret ndërlidhëse e misionet e huaja lirohet nga akciza. Mirëpo këto dokumente ishin të falsifikuara, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

Vlera e naftës që ishte raportuar për nevoja të zyrës greke dhe që ishte shitur në tregun me pakicë kapte vlerën e miliona eurove. Për këtë duhet të paguhej akciza. Llogaritet se HIB Petrol i është shmangur akcizës në vlerë prej rreth gjysmë milionë euro.

Burimet e Insajderit kanë treguar se drejtori i ri i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, ka shmangur të gjitha presionet lidhur me këtë rast duke mos komunikuar me asnjë vendimarrës qeveritar.

“Me të vetmin që ka pasur komunikim ka qenë kryeministri Kurti”, kanë treguar burimet e Insajderit.

Po ashtu, burimet e Insajderit kanë treguar se korporata HIB Petrol ka nisur që ta paguaj këtë gjobë. I është mundësuar që pagesën ta bëjë me këste. Shqiptimi i kësaj gjobe ka qenë tronditës për drejtuesit e kësaj korporate private.

Lexo edhe:  Gjendja e të lënduarve në Kçiq: Djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, katër nga ta futen në operacion

Plani i tyre ka qenë që për mashtrimet milionëshe të shmangies së akcizës të fajësohet vetëm ish-menaxheri Fatbardh Xhaferi. Kanë mbështetur versionin se pronarët nuk kanë qenë në dijeni për përfshirjën në skemë kriminale të ish-vartësit të tyre.

Gjoba e shqiptuar nga Dogana e Kosovës shfuqizon versionin e kësaj korporate. Futë në përgjegjësi ligjore kompaninë e tyre dhe vetë pronarët Ibrahim e Kujtim Bucaliu.