Shtëpia e familjes Bahtiri në Podujevë cak i hajnave, vidhen 4500€ para të gatshme e mijëra euro stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në shtëpinë e familjes Bahtiri në Gllamnik të Podujevës, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur rreth mbi 4 mijë euro e 500 euro para të gatshme dhe stoli të arit, që kapin vlerën e rreth 3 mijë eurove.

Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë kryer vjedhjen.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Këta janë disa nga qytetarët që po e arsyetojnë vrasjen e gruas në Pejë