Shtatë anëtarë të familjeve Gashi dhe Qoti në Prizren përfshihen në përleshje, prona i fut në telashe

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ndodhi para disa muajsh në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Landovicë të Prizrenit, ku disa anëtarë të dy familjeve Gashi dhe Qoti, janë futur në sherr me njëri-tjetrin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se katër anëtarë të familjes Gashi po dyshohen se janë rrahur me tre anëtarë të familjes Qoti, si pasojë e mosmarrëveshje pronësore, që u bënë mollë sherri mes tyre dhe situata eskaloi.

Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, janë përleshur.

Përballë kësaj situate, dikush ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para për rastin.

Personat që kanë pësuar lëndime kanë marrë trajtim mjekësor në spital dhe më pas të gjithë të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Lexo edhe:  Kaq ushtarë u larguan nga FSK gjatë vitit 2023