Shqetësuese: Nxënësi në Istog kapet nga drejtoria me armë në çantë, thotë se është e babait të tij

Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe në institucionet arsimore.

Një dukuri e tillë, sa shqetësuese aq edhe alarmante është zbuluar nga drejtoria e shkollës së mesme “Haxhi Zeka”, në Istog, ku sot paradite është vërejtur se një nxënës i kësaj shkolle, i moshës 15-vjeçare po mban një armë në çantë dhe për këtë ishin të detyruar që ta njoftojnë Policinë.

Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se 15-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se arma është e prindit të tij dhe nuk e ka marrë për ndonjë qëllim të caktuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit (babait të fëmijës) është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje.

Kujtojmë se kohëve të fundit janë iniciuar disa raste për armëmbajtje pa leje nga personat e mitur të cilat po trajtohen nga prokuroritë respektive.

Lexo edhe:  Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës nesër