Shoferin në Dragash e zë sherri në komunikacion, i dyshuari ia thyen hundën dhe ik nga vendi i ngjarjes

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje, raporton Gazeta Sinjali.

Sherri e ka zënë mbrëmë edhe një person në fshatin Vraniq të Dragashit, ku pas një zënke në komunikacion, shoferi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash kanë bërë me dije se 39-vjeçari është dërguar atje me lëndime trupore të rënda dhe për shkak të gjendjes së tij është transferuar në Spitalin Rajonal në Prizren për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se viktima ka pësuar frakturë në hundë si pasojë e goditjeve të forta.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshminë e viktimës.

39-vjeçari ka deklaruar se nuk e njeh të dyshuarin, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbuluar identitetin e tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  “Zarf i Zi” në “BBVA” – Egla thyen rregullat, të gjithë banorët dënohen