Shoferi kosovar e mbush veturën me derivate në EXFIS dhe paguan me 100 € false, ia kthejnë 80 origjinal

Pompat e derivateve shumë shpesh janë cak i hajnave të cilët arrijnë të vjedhin e të grabisin qindra mijëra euro.

Pothuajse të gjitha kompanitë janë përballur me humbje të tilla, që përveç dëmit të shkaktuar, është krijuar edhe pasiguri e frikë për punëtorët. Por ka raste kur humbjet shkaktohen si pasojë e pagesave që kryhen me para false, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur mbrëmë në pompën e derivateve EXFIS në Drenas, ku një person e ka mbushur veturën me derivate dhe ka paguar me një 100-she që dyshohet të ketë qenë false.

Sinjali mëson se i dyshuari ka kërkuar që t’ia mbushin veturën 20 euro me derivate, me ç’rast punëtori është dashur t’ia kthejë 80 euro origjinal.

Në momentin e pagesës, viktima s’e ka vërejtur se paratë mund të jenë të falsifikuara, por më pas e ka kuptuar se kartëmonedha dyshohet të jetë false.

Kjo ‘metodë’ po aplikohet me të madhe, ku të dyshuarit po përfitojnë edhe shërbime, por edhe para.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.

Kujtojmë se paratë e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  Ndalohet një serb në Bërnjak, policia i gjeti uniformë ushtarake e gjëra tjera që nxisin përçarje