Shoferët e furgonëve në Mitrovicë kapen për udhëtarë, kërcënohet dhe sulmohet 36-vjeçari

Konkurrenca shumë shpesh i fut në sherr pronarët e kompanive të ndryshme, të cilët nuk arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe për pasojë përfundojnë në Polici.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të mërkurën, në Shipol të Mitrovicës, por këtë herë janë përfshirë shoferët e disa furgonëve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një 36-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se është kërcënuar dhe sulmuar nga dy persona.

Sipas informacioneve të para, viktima, i cili është shofer i një furgoni është kërcënuar nga shoferi i një furgoni tjetër, si pasojë e një mosmarrëveshje për udhëtarët.

Për të mos mbaruar me kaq, 36-vjeçari edhe është sulmuar nga një person që ndodhej në furgonin e të dyshuarit, i cili e ka gjuajtur me shishe.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur t’i arrestojë dy të dyshuarit, të cilët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve ndaj tyre për veprat “Sulm” dhe “Kanosje”.

Lexo edhe:  E trishtë: 13-vjeçarja në Gjakovë tenton t’i japë fund jetës, konsumon mbidozë barnash