Shifra të “frikshme”: 100 mijë të rinj nuk janë as në punë, as në shkollë

Xh.M., 23 vjeç, nga komuna e Malishevës, ka të përfunduar vetëm shkollimin fillor. Aktualisht, as nuk punon, as nuk është i përfshirë në ndonjë proces mësimor apo trajnim.

“Unë e kam një zanat, jam shtrues i pllakave të qeramikës, por nuk ka punë me kushte të mira”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Në një kompani kam punuar 11 muaj dhe nuk jam paguar. Kështu që jam i dëshpëruar nga njerëzit. Punon, punon… kur të bëhet muaji, nuk ta japin rrogën”, vazhdon rrëfimin Xh.M.

Ai nuk dëshiron t’i përmendë arsyet se përse nuk e ka vazhduar shkollimin. Thotë se për shpenzimet e ditës e ndihmon e ëma, e cila merr një pension mujor prej rreth 200 eurosh.

“Çfarë të bëj? Rri në shtëpi… Vështirë është pa punë, sidomos tani kur çmimet janë rritur”, thotë Xh.M.

Si ai që nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar, janë afër 100 mijë banorë të Kosovës, të moshës 15 deri në 24 vjeç.

Këto të dhëna i ka publikuar së voni Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në anketën e fuqisë punëtore.

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2022 kanë treguar, po ashtu, se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të 2022-shit ka qenë 16.6 për qind.

Lexo edhe:  Kapen mbi 2 kg kokainë dhe mbi 3.6 kg marihuanë në Prishtinë e Gjakovë, arrestohen tre persona