Sherri në sheshin e Mitrovicës, ky është 48-vjeçari që dyshohet se sulmoi brutalisht të moshuarin
Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet. Një rast i tillë ka ndodhur sot në mesditë në sheshin ‘Mehë Uka’ në Mitrovicë, ku një person u arrestua e një tjetër u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Baki Ibishi, 48-vjeçar.
Ibishi dyshohet se i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore një të moshuari, i cili u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.