Sherr pas garave me vetura: I riu ia sulmon me sëpatë babain kundërshtarit që e mundi
Nuk janë të rralla rastet kur garat me vetura që bëhen nëpër rrugët e Kosovës të përfundojnë me incidente. Për pasojë, grupe të caktuara të të rinjve përfshihen në përleshje, siç ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Gucia” në Pejë.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë babë e bir në njërën anë si viktima, si dhe në anën tjetër po ashtu një i ri me babain e tij.
Konflikti verbal mes tyre eskaloi në sulm dhe në përdorimin e sëpatës, ashtu që pala e dyshuar gjatë rrahjes ka sulmuar viktimën 40-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore.
Motivi i përleshjes dyshohet të jetë një zënkë e dy djemve në lidhje me një garë me vetura. Gjithçka ndodhi pasi viktima 18-vjeçar kishte fituar garën dhe të mllefosur nga kjo, kundërshtari i tij 23-vjeçar bashkë me babain e tij e kanë sulmuar.
Pasi Policia është njoftuar për rastin, njësitet policorë janë vënë në lëvizje, duke shoqëruar palët në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat në lidhje me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj djalit 23-vjeçar është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, teksa babai i tij do të hetohet në procedurë të rregullt.