Sherr në ‘Pantera Club’ në Deçan: Stafi përleshet me klientët problematikë, përfshihet edhe pronari
Lokalet e natës të cilat frekuentohen për t’u argëtuar me muzikë, shpesh herë shndërrohen edhe në ring boksi. Nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë që dalin të shijojnë jetën e natës, përfundojnë në telashe pasi përfshihen në përleshje fizike.
Në një përleshje fizike janë përfshirë orët e para të së premtes edhe pronari i ‘Pantera Club’ në Lëbushë të Deçanit, bashkë me një person tjetër dhe tre klientë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi tre klientët pas një zënke kishin filluar të thyejnë gota në lokal. Kjo ka bërë që pronari dhe stafi të intervenojnë dhe të njëjtit kanë tentuar që t’i largojnë nga lokali.
Mirëpo ata kanë hasur në rezistencën e tre të dyshuarve tjerë dhe si rrjedhojë mes tyre ka nisur përleshja fizike, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar pronari i club-it dhe njëri nga klientët.
Të dy kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan dhe më pas janë shoqëruar për në stacion policor për intervistim.
Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar edhe tre klientët që dyshohet se u përfshinë në përleshje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që pronari dhe njëri nga klientët të ndalohen për 48 orë, ndërsa të tjerët do të hetohen në liri. Ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.