Sherr mes dy personave që u përfshinë në një aksident në trafik në Shtërpcë, njëri nga ta përfundon në pranga

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.

Një zënkë mes dy personave ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Drekoc të Shtërpcës, pasi ata u përfshinë në një aksident trafiku.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pas përplasjes, shoferi 37-vjeçar dyshohet se ka tentuar që ta nxjerrë me forcë nga vetura e tij viktimën.

Si rrjedhojë e veprimeve të dhunshme të të dyshuarit, viktima ka denoncuar rastin në Polici.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 37-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

 

Lexo edhe:  “Një natë e Kadrit e vlefshme sa një mijë muaj” – Rëndësia e natës së Kadrit sipas hoxhë Fadil Musliut