Pronari i “LILI Group” në Mitrovicë, Halil Ahmeti, po akuzohet se dëmtoi punëtorët duke u deklaruar pagat në në ATK 216€ ndërsa në kontratë i kishin 250 euro

I akuzuari për dorëzim të pasaktë të informatave të pasqyrave të punëtorëve të kompanisë së tij SHPK “Lili Group” në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Halil Ahmeti, është deklaruar i pafajshëm në seancën e rigjykimit.

Këtë deklarim, i akuzuari Ahmeti e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pasi iu lexua aktakuza nga prokurori Njazi Rexha dhe u njoftua me të drejtat e tij në procedurë, si dhe pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, nga gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pranishëm në seancë ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Fahri Jashari.

Tutje, gjyqtari Beqiri i njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë, apo kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 6 qershor 2022 e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin Ahmeti, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kundër aktgjykimit të Themelores, në afatin ligjor ankesë kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të ashpër.

Po ashtu, ankesë kishte parashtruar edhe i akuzuari Ahmeti, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Apel, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar ashtu që ndaj tij të shqiptohet një dënim me gjobë.

Pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 28 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin konstatoi se ankesat e palëve kanë qenë jolëndore dhe sipas detyrës zyrtare, rastin e ktheu në rigjykim.

Lexo edhe:  Gara e vdekjes: Dy shoferët e arrestuar janë gjobitur plot herë për shkelje nga Policia e Trafikut në Gjakovë

Ndryshe, aktakuza ndaj Halil Ahmetit është ngritur më 25 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e cila e ngarkon atë se gjatë viteve 2013-2016, në cilësinë e pronarit të kompanisë SHPK “Lili Group” me seli në Mitrovicë, kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, në kundërshtim me nenin 13, lidhur me nenin 1, paragrafi 8, pika 1 të Ligjit për Administratat Tatimore.

Sipas aktakuzës, Ahmeti kishte bërë dorëzim të pasaktë (jo komplet) të pasqyrave të informatave për punëtorët në ATK. Aty thuhet se pagën bruto për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, për punëtorët: Hasime Hajra, Mehdi Hyseni, Hidajete Beka, Sevdije Dibrani, Sebahate Kuqi, Miradije Ademi, Gyltene Sefa, Mevlude Haxha, Ganimete Skenderi, Florina Rexhepi, Sheribane Mikushnica, Qamile Ferizi, Aferdita Jashari, Sadete Latifi, Fahrije Peci, Hala Rexhepi dhe Remzi Aliu, kishte deklaruar në ATK 216 euro, e që sipas kontratës kornizë për secilin punëtor kishte qenë 250 euro./ betimpërdrejtësi