Sherr mes dy personave në Prishtinë, përfshihet një austriak – Policia bastis shtëpinë e 25-vjeçarit kosovar

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe përfundojnë si raste në Polici, ku kërkohet ndihmë. Telashe të tilla mes kosovarëve janë mjaft të shpeshta dhe motivet shumë herë dalin të jenë zënkat momentale.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku dy persona janë përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri prej të dyshuarve është një shtetas austriak dhe ai bashkë me të riun kosovar që u rrah, janë dërguar në spital për tretman mjekësor.

Ndërkohë Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e 25-vjeçarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe mjete tjera që shërbejnë për përdorimin e drogës.

Po ashtu të riut i janë gjetur një shumë e konsiderueshme parash të gatshme, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, teksa 25-vjeçari do të hetohet edhe për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Lexo edhe:  Ngritet aktakuzë ndaj 11 personave për krim të organizuar