Të shtëna me armë në Prishtinë: Persona të panjohur e bëjnë ‘blozhdë’ një veturë në lëvizje

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka raste kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Të shtëna me armë janë dëgjuar edhe mbrëmë pak para mesnatës në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë, por kësaj radhe si cak ishte një veturë e cila ishte në lëvizje.

Sinjali mëson se shoferi që drejtonte veturën ka shpëtuar pa lëndime dhe i njëjti menjëherë ka njoftuar Policinë për atë që ka ndodhur.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet në veturën që u godit nga katër predha e po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës që dyshohet se u përdor në rast.

22-vjeçari nuk ka arritur që t’i identifikojë të dyshuarit dhe sipas dëshmisë së tij gjithçka ka ndodhur derisa ai ishte në veturën e tij dhe në një moment katër plumba kanë goditur derën e veturës kah ana e tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.

 

Lexo edhe:  Ish-ushtari i UÇK-së, Mehmet Bylykbashi ka nevojë për ndihmë për shërim në Turqi