Shembja e pllakës së një shtëpie të pabanuar, la tre të vdekur mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës
Një rast tragjik ka ndodhur mbrëmë në Jabblanocë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një pllake të një shtëpie të pabanuar, kanë vdekur tre të rinj.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se rasti kishte ndodhur rreth orës 22:50.
Ai bëri të ditur se vdekja e tre të rinjve është konstatuar në vendngjarje nga ekipet mjekësore.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha mbrëmë Elezaj.