“S’guxon me thirrë Policinë ma” – 40-vjeçari ia sjell shpirtin në fyt vajzës në Prishtinë, e ngacmon vazhdimisht

Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato.

Një vajzë 22-vjeçare tash e një kohë është në hall nga një person, i cili vazhdimisht e thërret në telefon dhe e shqetëson.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka denoncuar shtatë herë të tjera të dyshuarin, teksa rastin e fundit e ka raportuar pak ditë më parë.

Bazuar në dëshminë e saj dhënë organeve të hetuesisë, 40-vjeçari e ka përcjellë gjatë kohës që ishte duke shkuar në shtëpi dhe e ka kërcënuar duke i thënë se s’guxon ta thërrasësh Policinë më.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.

Lexo edhe:  Vdekje e dyshimtë në Partesh: Gjendet pa shenja jete një burrë, ishte mbyllur në shtëpinë e tij