Santorini dridhet sërish, dy lëkundje ndihen pak minuta para vizitës së kryeministrit Mitsotakis
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në Santorini, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Civile, në shenjë solidariteti për ishullin e goditur nga tërmeti.
Ai e nisi vizitën – të parën që nga shprehja e shqetësimit nga sizmologët për rritjen e aktivitetit sizmik intensiv – duke inspektuar njësinë e lëvizshme të operacioneve të dërguar nga brigada e zjarrfikësve.
Më pas ai ndaloi në spitalin e ishullit dhe vizitoi forcat speciale.
“Dua t’i siguroj banorët e Santorinit dhe ishujve të tjerë se shteti është në krahun e tyre. Është më mirë të jemi të përgatitur,” tha Mitsotakis.
Mijëra lëkundje nënujorë kanë tronditur ishullin që nga fundjava, me dy tërmete – me magnitudë 3.8 dhe 3.9 në shkallën Rihter – që goditën brenda dhjetë minutash, pak para se Mitsotakis dhe ekipi i tij të uleshin në ishull.
Një tërmet edhe më i fuqishëm, me magnitudë 4.8, tronditi Santorinin më herët në mëngjes, duke shkaktuar rrëshqitje të tjera gurësh.
Rreth 12,000 persona – banorë, turistë dhe punëtorë – janë larguar nga ishulli duke përdorur çdo mjet të mundshëm për të shpëtuar.