RTK përjashton nga puna Ridvan Berishën
Ish-kryeredaktori dhe autori i emisionit “Debat”, Ridvan Berisha, është përjashtuar përfundimisht nga puna në Radio Televizionin e Kosovës pas 21 vitesh.
Përmes një shkrimi në Facebook, Berisha akuzoi drejtorin e përgjithshëm të RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj se ia ndërpreu kontratën e punës në kohën kur ai duhej të rikthehej në punë.
“Dy ditë para se të mbaroj masa 6 mujore e suspendimit tim nga RTK, vet Ahmetxhekaj është kujdesur që ta marrë në dorë situatën. Ai vendosi që të ma ndëpres marrëdhënien e punës, nga data 26 shtator 2022, në ditën kur unë para disa ditësh isha njoftuar nga administrata se duhet të dalë në punë“, deklaroi ai.
Ai tha se menaxhmenti i RTK’së po hakmerret me largim të punëtorëve, e që sipas tij po bëhet me porosi të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.
“E kam thënë në mënyrë të përsëritur se, Shkumbin Ahmetxhekaj, Arsim Halili…, aktualisht në krye të RTK-së, fukarallëkun me dije menaxhimi po e zëvendësojnë me hakmarrje, me largim nga puna të kolegëve nën pangopësinë për hakmarrje, kam arsye të dyshoj se kjo po bëhet me porosi direkte nga Albini e Vjosa. Kjo praktikë po ndodhë fatkeqësisht edhe në institucione të tjera për sa kohë që po qeverisë Kurti”, ka shkruar Berisha.
Berisha paralajmëroi se do të bëjë edhe një tjetër padi ndaj televizionit publik dhe Shkumbin Ahmetxhekajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje:
E kam thënë në mënyrë të përsëritur se, Shkumbin Ahmetxhekaj, Arsim Halili…, aktualisht në krye të RTK-së, fukarallëkun me dije menaxhimi po e zëvendësojnë me hakmarrje, me largim nga puna të kolegëve nën pangopësinë për hakmarrje, kam arsye të dyshoj se kjo po bëhet me porosi direkte nga Albini e Vjosa. Kjo praktikë po ndodhë fatkeqësisht edhe në institucione të tjera për sa kohë që po qeverisë Kurti!
Dy ditë para se të mbaroj masa 6 mujore e suspendimit tim nga RTK, vet Ahmetxhekaj është kujdesur që ta marrë në dorë situatën. Ai vendosi që të ma ndëpres marrëdhënien e punës, nga data 26 shtator 2022, në ditën kur unë para disa ditësh isha njoftuar nga administrata se duhet të dalë në punë.
Ahmetxhekaj vendosi që të më largoj nga puna, pas 21 vjetësh pune në RTK.
Vendimin e ka marrë derisa funksioni, roli dhe përgjegjësia ime kanë qenë tërësisht pasive në RTK, nga fakti se kam qenë i suspenduar, edhe kjo masë në kuadrin e një ndërmarrjeje ashiqare të përbashkët pushtet-Ahmetxhekaj!
Për fjalë goje jam larguar nga puna në shekullin XXI! Albin e Vjosa, kjo është e papranueshme në demokraci ashtu sikurse muaj e muaj më parë e kam njoftuar edhe sektorin për të drejtat e njeriut në Ambasadën Amerikane për gjithë situatën ndaj meje!
Dy aktpadi përmes avokatit i kam deponuar në gjykatë, gati që prej dy vjetësh!
Do ta denoncoj Ahmetxhekajn dhe RTK me një padi shtesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Fakte kam mjaftueshëm për ta demonstruar gjuhën e urrejtjes dhe të mosdurimit, motivin e organizuar midis pushtetit dhe vartësve të tyre në RTK, që të bëjnë çdo gjë për largimin tim nga puna.
Shihemi në Gjykatë!
Ja masa ekstreme e drejtorit Ahmetxhekaj. Meqenëse merrem me jetë publike, më duhet ta publikoj të plotë vendimin për largim nga puna!