Telashe në PDK – tri ore pas takimit me zyrtarin e Nismës, Musliu lëshon akuzat kundër partisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë sot në konventën e partisë së udhëhequr nga Memli Krasniqi.

Ajo përmes një reagimi ka treguar arsyet e mosmarrjes pjesë në “Konventën programore të PDK-së”.

Shkrimi i saj i gjatë në Facebook fillon me fjalinë “kur në emër të reformës synohet ikja nga identiteti”, derisa vazhdon me “mungesa ime sot ka të bëjë me mospajtimin tim me mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin”.

Musliu që duket se konventën e ka përcjell nga shtëpia, tutje kallëzon se si e pa atë.

“Sot pamë një Konventë, pa zëra kritik dhe pa një rezyme të proceseve nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës. Sot, pamë një konventë me një parullë patetike 50-50, që realisht për qëllim ka vetëm të tingëllojë shumë bukur, por nuk pamë një plan konkret se si do të realizohet ky synim 50-50. Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, shkruan Musliu, transmeton Gazeta Insajderi.

Tutje ajo hedh akuza të forta për mohimin e fjalës së grave dhe vajzave në PDK.

“Në PDK, sikurse edhe në partitë e tjera pa përjashtim, gratë dhe vajzat duhet të jenë pa zë, të përshtatën dhe të nënshtrohen sepse vetëm kështu ato respektohen nga individë të caktuar, e që fatkeqësisht këta individë sot udhëheqin partitë politike në Kosovë. Kjo është një situatë që të gjithë e dijnë, por që nuk prononocohen qartë”, thotë Musliu.

Lexo edhe:  Agjencia e Pyjeve: Është rritur niveli i prerjeve ilegale të pyjeve në Kosovë

“Qasja e tillë ndaj grave aktiviste dhe krijimi i një mentaliteti të tillë ndaj grave në përgjithësi e dëmton rëndë kauzën për përfaqësim të dinjitetshëm të Grave në politikë dhe në jetën publike, prandaj për mua është e papranueshme që, kundruall këtyre zhvillimeve, të hesht vetëm pse sot mbaj një pozitë të rëndësishme si deputete dhe si kryetare e Komisionit për mbikqyrjen e AKI-së, gjë që dikush mund ta vlerësojë si zonë komfori. Unë, në rrugën time politike, asnjëherë nuk e kam zgjedhur rrugën e komformitetit”.

Sipas saj në emër të reformave po shkatërrohet historia e partisë.

“Nuk mund të ia lejoj vetës të heshti kur jam dëshmitare se çdo ditë, në emër të reformave po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor. Reformat janë të mirëpritura, por nuk reformohet një parti duke mohuar vlerat mbi të cilat u themelua, vlerat mbi të cilat e qeverisi dhe e rindërtoi vendin. Çdo Parti duhet të hapet dhe të bëhët shtëpi ku gjeneratat e reja do të angazhohen, por pa e mohuar kontributin dydekadësh të aktivistëve dhe kuadrove të cilët ishin mburrja dhe krenaria e Partisë dhe e Kosovës”, thekson deputetja e PDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Ajo shkruan se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e një konvente ku nuk thuhet asnjë fjalë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që po mbahen në Hagë.

“Partia Demokratike, nga një parti e vlerave kombëtare dhe shtendërtuese po shndërrohet një një „Parti-Pronë“ e një grupi të vogël interesi i cili me çdo verim synon ikjen nga identiteti i saj. Nuk e shoh të arsyeshe të bëhem numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkëlqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”.

Lexo edhe:  LAJMI I FUNDIT: Shpërthim tek tre rrokaqiejt në veri të Mitrovicës - tensionohet situata

Në fund ajo flet për sondazhet që janë publikuar javën e fundit, e që tregojnë për rënien e PDK-së.

“Sondazhet e fundit janë matës serioz për neglizhencën e Organeve të PDK-së. Sot sondazhet na nxjerrin në vendin e tretë dhe po vazhduam kështu nuk dua as të mendoj se ku do të përfundojmë në zgjedhjet e ardhshme. E kemi provuar me heshtje duke kërkuar debat të brendshëm, por Kryesia aktuale e PDK-së (Kryesia e ngushtë sepse e gjëra është në terr informativ) ka injoruar çdo përpjekje duke u vetëkënaqur në „lavdinë“ e tyre momentale”.

“Elektorati i PDK-së, ka mbetur vetëm dhe pa një vizion të qartë të Partisë, prandaj për hir të atyre qindra mijëra votuesve dhe mbështetësve të vërtetë të PDK-së, nuk mund ta marr përgjegjësinë e heshtjes. Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Demokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”.

Ky postim i Musliut vjen vetë tri ore pas takimit që ajo pati me Endrit Shalën e Nismës Socialdemokrate.

I fundit shpërndau një fotografi me Musliun, duke e cilësuar deputeten më të guximshme.

“Me deputeten ma të guximshme që përfaqësimin e besimit të popullit e ka të shënjtë! Ganimete Musliu vazhdon të jetë një nga zërat e pakët në institucionet e vendit që me krenari mbronë vlerat e UÇK-së”, shkruan Shala i Nismës.

Ndryshe, rreth një javë më parë, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Ramë Buja, dha dorëheqje nga partia.

Lexo edhe:  Përgatitnin shitjen e një toke në vlerë rreth një milion euro, arrestohen dy persona

Kjo ishte hera e dytë që Buja dha dorëheqje nga kryesia e PDK-së. Të njëjtin veprim e kishte ndërmarrë edhe para pesë vitesh, kur kryetar i PDK-së ishte Kadri Veseli.

Dorëheqjen e Bujës nga Kryesia e PDK-së e ka konfirmuar zëdhënësi Faton Abdullahu.

“Po, kryetari e ka pranuar dorëheqjen e z. Buja. Ka biseduar me të dhe e ka falënderuar për punën dhe angazhimin e deritashëm në Kryesi”, tha Abdullahu