Rruga Prishtinë – Mitrovicë, një dekadë punime, asgjë e përfunduar

Tash e një dekadë kanë nisur punimet në rrugën Prishtinë – Mitrovicë.

Përkundër kësaj, ato, nuk janë kryer deri tash shkaku i telasheve me pronësimet atje, raporton “Front Online”.

Më 2013, Ministria e Financave e udhëhequr nga ish-ministri Besim Beqaj, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel për zgjerimin e magjistrales.

Ujdia parashihte që vlera e projektit të jetë rreth 60 milionë dollar dhe pritej të përfundonte diku rreth vitit 2017, raporton “Front Online”.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dha afat një vjeçar për përfundimin e punimeve, të cilat pritet të nisin në vjeshtë.

Sipas tij, tashmë është rregulluar çështja e shpronësimeve.

“Shtatori dhe fillim i tetorit të jetë koha kur ne e fillojmë realizimin e punëve në projektin e Mitrovicës, dhe ky e ka afatin një-vjeçar. Kjo është, keq apo mirë, kjo është situata, pra mund të akuzohemi dhe të gjitha, por kjo është situata. Në rrugën e Mitrovicës kemi punuar intensivisht dhe kemi mbërri në këtë pikë. Ka pasur telashe të shumta, mendoj që i kemi përmbyllur dhe jemi të gatshëm që të vazhdohet me këtë projekt”, shtoi ai.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike sot