Rrahje në një parking në Prishtinë: Gjashtë të arrestuar, konfiskohen armë zjarri e thikë

Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin se janë përfshirë në një rrahje sot në një parking në Prishtinë. Me rastin e arrestimit, janë gjetur dhe konfiskuar edhe disa armë.

Policia ka njoftuar se fillimisht kanë marrë informacione për armëmbajtje pa leje, e më pas është zbuluar edhe përleshja në mes të dyshuarve,

“Me datën 03.07.2023, njësitë policore si rezultat i implementimit të një plani operativ në terren, kanë arritur të sigurojnë informacione se në një parking në Prishtinë gjendet një veturë e dyshuar në të cilën ndodhet një armë zjarri, me ç’rast zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke shkuar në vendin e ngjarjes, ku si rezultat në të njëjtin lokacion kanë hasur në një rrahje mes disa personash.

Lidhur me rastin janë thirrur në asistencë edhe njësi të tjera për intervenim, ku si rezultat janë shoqëruar në stacion policor gjithsej 6 (gjashtë) persona të dyshuar, të cilët më pas janë intervistuar. Po ashtu është bërë edhe kontrolli i veturës së dyshuar, me ç’rast është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri, si dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar pronar i automjetit të lartcekur, është gjetur dhe është konfiskuar një thikë dhe një fishek.”, njoftoi Policia.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar rastet ‘lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’, ndërsa 4 nga 6 të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Rrahje mes të burgosurve në Burgun e Dubravës, 24-vjeçari përfundon në spital