Rrahje mes të rinjve në Barilevë të Prishtinës, një 20 vjeçar theret me thikë

Përleshjet ku përpos grushteve përdoren edhe mjete tjera të forta e të mprehta, janë bërë të shpeshta në vendin tonë. Ka shumë raste kur ato kanë përfunduar në mënyrë tragjike, duke u shndërruar kështu në një dukuri shqetësuese.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe mbrëmë në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku tre të rinj janë përfshirë në një përleshje fizike dhe si pasojë një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur nga therja me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bëjnë me dije se viktima ka shkuar atje me lëndime në katër plagë në fytyrë dhe kraharor. Për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Po ashtu lëndime ka marrë edhe një 18-vjeçar, i cili pas ndihmës mjekësore është liruar për në shtëpi.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku kanë arritur që të arrestojnë të miturin që dyshohet se theri me thikë bashkëfshatarin e tij.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit në praninë e prindit të tij dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Lexo edhe:  Lajm i rëndë: Humb jetën 18 vjeçari Admir Hoti në një aksident të rëndë