Rrahja e 21-vjeçarit nga tre persona në Suharekë: Zbulohet kush janë të dyshuarit që u ndaluan

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në fshatin Bllacë të Suharekës, ku katër persona janë përfshirë në një konflikt verbal që kaloi më pas në dhunë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që janë ndaluar janë Endrit Kyçyku dhe Blerand Kyçyku, të cilët bashkë me një të mitur, e kanë sulmuar të dyshuarin tjetër.

Tre të dyshuarit në një anë dhe i dyshuari i katërt në anën tjetër dyshohet se fillimisht kanë pasur një mosmarrëveshje momentale, e më pas janë rrahur, duke pësuar edhe lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe janë arrestuar dy të dyshuarit kryesorë.

I dyshuari që pësoi plagë u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa i dyshuari tjetër, i moshës së mitur është lënë i lirë.

Ndërsa dy të arrestuarit, pas intervistimit në stacion policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ankohen anesteziologët e Kosovës, po vuajnë nga sindromi i lodhjes së tepërt