Rikthehet në shkollë vajza me mbulesë
Vajza me mbulesë që ishte përjashtuar nga shkolla për shkak të shamisë, pritet që nga nesër t’i kthehet procesit mësimor në gjimnazin “Bedri Pejani”.
Kështu ka njoftuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli.
“Pas shumë peripecive, vajza me mbulesë, A.D. më në fund rikthehet nesër në procesin mësimor në Gjimnazin ‘Bedri Pejani’, pas më shumë se një muaji pritjeje e refuzimi. Pas vështirësisë vjen lehtësimi”, shkroi ai në Facebook.
Për të njëjtën vajzë, ishte raportuar edhe në muajin shtator se si ishte rikthyer në shkollë.
Hoxhë Labinot Maliqi, njoftonte se nga dita e hënë, vajza me inicialet A.D. do ti rikthehet mësimit në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.
Ai falënderonte Ministrinë e Arsimit, siç thotë ai për veprimin e drejtë.
“Duke filluar nga e hëna, nxënësja A.D. do të rifillojë mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani”, së bashku me të gjitha vajzat e tjera me mbulesë, të cilave u është mohuar kjo e drejtë për një periudhë të gjatë kohore.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj Ministrisë së Arsimit për këtë vendim të drejtë. Ky bashkëpunim i yni me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdoj deri në ndryshim substancial ose anulim të plotë të ndalesës së Udhëzimit Administrativ, i cili që nga dita e nënshkrimit u keqinterpretua dhe u keqpërdor për privimin nga arsimimi i dhjetëra vajzave në Kosovë”, tha ai.