Renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës nxit reagime nga e gjithë Kosova

Renovimi i shtëpisë së politikanit mitrovicas nga Lufta e Dytë Botërore, Xhafer Devës, ka marrë edhe njëherë vëmendjen e vendit. Kësaj radhe reagimet u shkaktuan nga pamjet e para të restaurimit të objektit monumental në Mitrovicë, i ndërtuar rreth 100 vjet më parë.

Fotografitë e publikut në “Jepi zë” nga pjesa e prapme të shtëpisë që po renovohet, janë shpërndarë në rrjete sociale. Aty duket se objekti ka ndrruar origjinë dhe i është vendosur një fasadë e verdhë.

Deputetja Eliza Hoxha, me profesion arkitekte, ka pyetur se “qysh mund të ndryshohet objekti në emër të restaurimit”.

Aktivisti Rron Gjinovci ka shpërndarë fotografitë krahasuese të objektit, duke shkruar “Unë smuj me besu që jetoj në qisi veni”.

Aktivistja mitrovicase Neri Ferizi u është drejtuar arkitektëve që kanë lejuar që të bëhet një renovim i tillë.

Në reagime të tjera, imazhet e para nga restaurimi janë konsideruar “skandaloze” dhe proces që po e tjetërson objektin.

Renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës ka nxitur reagime që nga koha kur u mor vendimi. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e konsideronte të papranueshme renovimin e këtij objekti, për shkak të aktivitetit politik të Devës gjatë LDB. /Jepizë

Lexo edhe:  E pëson keq shoferi: I merret leja për një vit dhe dënohet me 500 euro, mësoni arsyen