REL: Kurti dhe Vuçiq u pajtuan se do të kenë diskutime një herë në muaj

Ndonëse Kosova dhe Serbia– nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe më 18 gusht, zyrtarë të BE-së kanë thënë se janë optimistë që një pakt mund të arrihet në ditët në vijim.

Duke folur në kushte anonime, disa zyrtarë të BE-së, kanë thënë se “ky rund i takimeve nuk do të konsiderohet i përfunduar pa u arritur marrëveshja”.

Sipas tyre, në mbrëmjen e 18 gushtit, edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Escobar ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, disa herë gjatë këtyre dy ditëve në Bruksel.

Burimet diplomatike të REL-it në Bruksel pohojnë se ka pasur angazhim edhe të disa liderëve perëndimorë, të cilët kanë kontaktuar ditëve të fundit Kurtin dhe Vuçiqin, për t’i inkurajuar në arritjen e një marrëveshjeje dhe evitimin e përshkallëzimit të situatës.

Në mesin e tyre, burimet diplomatike përmendin, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Shumë liderë ndërkombëtarë kanë shprehur pritjet e tyre nga takimet e këtyre dy liderëve. Këtë e kanë kuptuar edhe vetë liderët. Edhe pse nuk patëm marrëveshje për rrugën finale sesi të adresohet çështja, procesi po vazhdon”, kanë thënë burimet brenda BE-së.

Takimi i së enjtes shënon herën e tretë që Kurti e Vuçiq kanë realizuar takime në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Sipas burimeve, procesi i dialogut po vazhdon dhe se i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka vazhduar kontaktet me dy liderët edhe pas përfundimit të takimeve.

Sipas tyre, “pas takimeve ndjenjat janë të përziera, në njërën anë ka elemente inkurajuese, e në anën tjetër palët kanë mbajtur qëndrime kundërshtuese për shumë pika”.

Lexo edhe:  Ky është hajni qe u kap duke vjedhur në një shtëpi në Skenderaj

Burimet diplomatike kanë treguar se takimet e së enjtes janë ndarë në dy pjesë, dhe se fillimisht është diskutuar për të ardhmen e raporteve mes dy vendeve.

“Liderët diskutuan se si i shohin raportet në të ardhmen dhe si të mbërrihet deri te normalizimi. Ishte diskutim i mirë, por do të ishte naive të pritej marrëveshje tani. Ata më shumë nuk u pajtuan, sesa u pajtuan. Por ishte diskutimi i tyre më i mirë deri më tani. Dhe u pajtuan se do të kenë takime të rregullta. U pajtuan se do të kenë diskutime një herë në muaj”, ka thënë ky burim.

Në pjesën e dytë është diskutuar për mospajtimet aktuale.

Sipas burimeve të BE-së, diskutimi ka qenë i fokusuar edhe janë bërë propozime të ndryshme.

“U diskutua edhe çështja e energjisë. Ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit, por kjo mund të përmirësohet shumë shpejt. Kemi identifikuar se çfarë hapat të rinj duhet të merren. Nuk ka elemente që nuk mund të zbatohen. Por na duhet përkushtim nga të dyja palët” kanë thënë burimet brenda bllokut evropian.

Sipas tyre, Serbia e ka ngritur çështjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.