Recidivisti i dhunës në familje kapet në flagrancë duke rrahur gruan, arrestohet

Gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në Kosovë. Ato shpesh rrahen e kërcënohen edhe në sy të fëmijëve nga bashkëshortët, por që kanë frikë t’i denoncojnë në Polici.

Një rast i dhunës në familje është zbuluar dje në rrugën ‘Enver Hadri’ në Prizren, ku një zyrtar policor ka kapur në flagrancë një person duke rrahur gruan me të cilën bashkëjeton.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari, i cili është recidivist i dhunës në familje, është arrestuar, ndërsa 29-vjeçarja është dërguar në spital pasi ka marrë lëndime trupore.

48-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor si i dyshuar për dhunë në familje.

Lexo edhe:  Aktori Osman Azemi del para gjykate për posedim të substancave narkotike