Reagon profesori Avni Mazreku: Nuk jam arrestuar unë për drogë

Në media sot u raportua se në fshatin Lladrovc të komunës së Malishevës, janë gjetur rreth 3 mijë fije narkotike të llojit kanabis, me ç’rast është arrestuar edhe një person me emrin Avni Mazreku.

Mirëpo, nuk bëhet fjalë për Avni Mazrekun që njihet publikisht dhe që shpesh shihet në televizione duke dhënë analiza për aktualitetet politike.

Për shkak të shqetësimeve të shumta të miqve dhe të njohurve të tij, Mazreku është detyruar të jap një sqarim publik, duke thënë se nuk është ai i arrestuari për drogë.

“Vëmendje, Po me shkruajnë plotë njerëz në rrjete sociale duke u interesuar për mua. Unë nuk jam personi që e paska emrin e njëjtë, e qenka arrestuar për drogë. Nuk e di as a ka lidhje ai person me ndonjë kolegj privat. Nëse qëllimi ka qenë me lidh me emrin tim, do të marrë masa ligjore ndaj portalit në fjalë”, ka njoftuar Mazreku.

Policia më herët kishte raportuar se personi i arrestuar është Avni Qerkin Mazreku, i cili dyshohet për kultivim droge.

Sipas njoftimit të Policisë, 2720 bimë kanabis iu gjetën në shtëpi, ndërsa në një parcelë tjetër jashtë shtëpisë iu asgjësuan edhe 928 bimë dhe 624 bimë më të vogla narkotike të llojit të njëjtë.

Gjatë kontrollit, Policia konfiskoi edhe katër fishekë, një automjet dhe preparate që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Lexo edhe:  Nxehtësi e madhe, ky është parashikimi i motit për sot