Rast i rëndë në Mitrovicë, plagoset një 25 vjeçar në qendër të qytetit
Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me plagosjen e ndodhur sonte në rrugën “UÇK”-së, në Mitrovicën e Jugut.
Siç konfirmoi më herët për Jepi zë zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, rreth orës 19:26 janë raportuar të shtëna me armë zjarri, ku një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja.
Ndërkohë, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu, ka bërë të ditur gjendjen shëndetësore të të lënduarit.
“Në ora 19:48, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë është paraqitur një rast, 25-vjeçar me lëndime në këmbë. Aktualisht, po merr trajtim dhe terapi jashtë rrezikut për jetë,” ka deklaruar Fazliu.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit

