Rast i rëndë: Gruaja nga Prishtina lind në banesën e saj, foshnja vdes pas disa orësh në QKUK

Një rast i rëndë ka ndodhur të dielën në një familje në Prishtinë, ku një nënë që ishte në pritje të ëmbël lindi papritmas në banesën e saj, ku për pasojë foshnja nuk mbijetoi dhe më pas vdiq.

Gruaja është dërguar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkohë që Policia tashmë ka nisur hetimet.

Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ku gruaja u drejtua për në Gjinekologji bashkë me foshnjën e porsalindur.

Por pavarësisht intervenimit të mjekëve, fatkeqësisht, pas disa orësh, fëmija ka ndërruar jetë dhe është njoftuar menjëherë Policia.

Sipas të njëjtave burime, gruaja ka qenë në banesën e saj kur i kanë filluar dhimbjet, si një sinjal i fillimit të procesit të lindjes. Ndonëse akoma nuk dihet se në cilin muaj të shtatzënisë ishte e njëjta, ajo lindi në banesë – situatë kjo që e alarmoi dhe menjëherë familjarët e dërguan në QKUK bashkë me foshnjën.

Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, pra pa u bërë 12 orë nga lindja, foshnja ka ndërruar jetë.

Nga spitali është njoftuar Policia, ndërkohë që njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë për të marrë një deklaratë, por i njëjti akoma nuk ka kthyer përgjigje

Lexo edhe:  Nevojiten edhe 7300 euro për shërimin e Erionit, 9 vjeçari ka nevojë për ndihmën tuaj