Raportohet se burri që vrau 21-vjeçaren në Ferizaj ishte shok me Dardan Krivaqën

V.A i moshës 36 vjeçare dyshohet se pasditen e së premtes vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij 21 vjeçare, derisa plagosi vëllanë e saj, 15 vjeçar.

Burime të mirëinformuara i kanë treguar Nacionales se i dyshuari, “ka dashur t’ia marrë fëmijën viktimës, të cilës i takonte pas ndarjes”.

Sipas këtij burimi, i gjithë rasti ka ndodhur për këtë.

I njëjti ndërkaq, ka zbuluar për Nacionalen se “i dyshuari ka qenë shok me Dardan Krivaqën”, i cili tashmë ndodhet në burg po ashtu për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marigona Osmanit.

Ndryshe, të premten reth orës 14:40 policia e ka marrë informatën se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

I dyshuari, sipas policisë, kreu vrasjen brenda katit të parë të Qendrës për Punë Sociale. E.C mbeti e vrarë, ndërsa D.C i plagosur.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.” – njoftoi policia.

Lexo edhe:  Reduktime të rrymës për ditën e sotme

Rreth orës 15:15, policia ka identifikuar të dyshuarin, V.A i moshës 36 vjeçare, dhe më pas kanë arrestuar të njëjtin.

Prokuroria ndërkaq, ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë:

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.