Qytetari nga Lipjani kërkon ndihmë, personi me të cilin gruaja e tij ka pasur lidhje para se të martohej i shkon në shtëpi i armatosur

Mesnata e mbrëmshme ishte e frikshme për një familje në fshatin Magure të Lipjanit, ku një burrë dyshohet se është kërcënuar nga dy persona, që i shkuan afër shtëpisë të armatosur. Të dyshuarit tashmë janë identifikuar dhe motivi i rastit është zbuluar, teksa Policia ka nisur hetimet për të siguruar prezencën e personave të përfshirë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima, një 26-vjeçar, ka kërkuar ndihmën e Policisë në orët e para të së dielës, pasi u përballë me dy persona, emra të njohur për të.

Ata fillimisht dyshohet se e kanë sharë e më pas e kanë mbushur armën. Por ndonëse nuk pati të shtëna me armë, viktima e ka raportuar rastin para se të ndodhë diçka më e keqe.

Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes janë zbuluar detajet e para për dy të dyshuarit, të cilët kishin shkuar me qëllimin për ta frikësuar viktimën, i cili është martuar me vajzën që njëri prej tyre ka qenë në lidhje dashurie.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga gruaja e viktimës, e cila dyshon se këto probleme mund të kenë lindur për shkak të lidhjes që ka pasur ajo para se të martohet.

Zyrtarët policorë kanë kryer edhe ekzaminimet e nevojshme në vendin ku dyshohet se qëndruan të dyshuarit me veturat e tyre dhe më pas kanë nisur hetimet për kapjen e tyre.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren pasi të arrestohen të dyshuarit.

 

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta infermierja e njohur kosovare