Qeveria paralajmëron kthimin e çmimit tavan për naftën (VIDEO)

Shkaku i Udhëzimit Administrativ që rregullon çmimet e naftës, u dëmtuan shitësit me pakicë. Kjo është konstatuar gjatë periudhës kur qeveria vendosi tavanin për çmimet e derivateve.

“Është vërejtur që disa operatorë ekonomikë, shitës me shumicë, kanë ofruar te shitësit me pakicë, çmime shumë të përafërta me çmimin maksimal, të publikuar çdo ditë nga MINT, ku me këtë rast e kanë vështirësuar punën e shitësve me pakicë”, tregoi të mërkurën Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë, njofton Klan Kosova.

Për këtë arsye, pa dhënë më shumë detaje, qeveria e ndryshoi Nenin 5 që përcakton çmimin maksimal të derivateve, duke lënë të kuptohet se mund ta vendos përsëri tavanin për naftëtarët.

Një këso nisme e ngjashme për shportën bazike nuk u diskutua në mbledhjen e fundit, por është në planet e qeverisë, ndonëse nuk u tregua kur do të vendoset. Kryeministri Albin Kurti vetëm e konfirmoi se është në agjendën e ekzekutivit përcaktimi i çmimit tavan për produktet elementare ushqimore.

Sipas profesorit universitar, Sejdi Rexhepi në kohën kur shtrenjtimet kanë shënuar rekorde, vendime të tilla janë të duhura, por qeveria është vonuar.

Rexhepi thotë se tashmë çmimet e larta e kanë arritur efektin e tyre te qytetarët, sa që në fund të vitit mund të ketë edhe recesion.

Sipas Bankës Botërore, inflacioni vjetor në Kosovë, gjatë qershorit, shkoi në 19.2%.

Lexo edhe:  Katër prishtinas qërojnë hesapet me grushte, arrestohen të gjithë