“Qëndruam bashkë në villë por” – Denoncimi i të miturave nga Podujeva, njëra raporton se u dhunua e tjetra u sulmua seksualisht

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Shumë shpesh raportohen raste kur vajzat krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore, të cilët abuzojnë seksualisht me to, përkundër që janë në dijeni për moshën e tyre.

Për një rast të tillë, që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Podujevë, Policia ka arrestuar dy persona, një 23-vjeçar dhe një 18-vjeçar, njëri prej të cilëve dyshohet për veprën “Dhunimi” e tjetri për “Sulm seksual”.

Burimet brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje për rastin që dyshohet se ndodhi në një villë në fshatin Batllavë, ku viktima janë dy vajza të moshave, 16 dhe 15-vjeç.

Siç mëson Sinjali, dy të miturat kanë raportuar në Polici personat me të cilët kanë qëndruar bashkë në villë, ku dyshohet se njëra prej tyre është dhunuar.

Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e 16-vjeçares, është kuptuar se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë me të dyshuarin 23-vjeçar.

E njëjta më pas ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, e bashkë me të edhe shoqja e saj 15-vjeçare, e cila është sulmuar seksualisht nga i dyshuari tjetër.

Si rezultat i denoncimit, dy të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre, me ç’rast e kanë mohuar se kanë kryer veprat për të cilat dyshohen.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarve.

Ndërsa vajza që dyshohet se u dhunua është dërguar për ekzaminimin gjinekologjik, ku pas marrjes së rezultateve, do të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme ndaj të dyshuarit.

 

Lexo edhe:  Ndahen nga 500 euro për policët që u plagosën në veri dhe për ata me sëmundje të rënda