Punëtori i kafeterisë “Green” në Prizren bie në kontakt me rrymën, dërgohet në Emergjencë

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to është edhe rrezikut që u kanoset në vendin e punës. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një person është dërguar në këtë qendër me lëndime trupore, pasi i njëjti dyshohet se kishte rënë në kontakt me rrymën, teksa po punonte në kafeterinë “Green”.

I njëjti ka marrë trajtim mjekësor në spital dhe sipas informacioneve të para është jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Lexo edhe:  Arrestohen 10 persona në Gjakovë, u rrahën e gjuajtën me armë mes vete pas mosmarrëveshjeve në rrjete sociale