Publikohet letra emocionuese e vajzës së Ilaz Kodrës, dedikuar babait: “Babi- edhe pse nuk jemi takuar kurrë, zemra ime të njeh”

Krenare Kodra u lind me 4 nëntor 1999, në Kosovën e Lirë, gjashtë muaj pasi babai i saj, Ilaz Kodra, ra heroikisht në mbrojtje të Atdheut.

Deputetja, Blerta Deliu ka publikuar letrën që ajo ia dedikon babait.

Letra e plotë:

I dashur baba,

Po të shkruaj sot, si një vajzë e rritur, e formuar thellësisht nga një trashëgimi që ke lënë, para se të kisha mundësinë të shikoja qoftë edhe një herë të vetme në sytë e tu.

Megjithëse jo fizikisht, prezenca jote gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë e është si dritë udhërrëfyese që më drejton në momentet e mia më sfduese.

Si një një shtysë guximi sa herë e kam gjetur veten nën dyshim.

Duke u rritur, kam dëgjuar shumë histori të panumërta për ty.

Rrëfime nderi dhe respekti, që më mësuan jo vetëm kush ishe ti, por kush duhet të jem unë.

Nga mami mësova për të qeshurën dhe dashurinë tënde për jetën. Pasionin tënd për drejtësi e liri. Për angazhimin e pakompromis për një kauzë më të madhe se vetë jeta – më të madhe se vetë ti.

Nga shokët e tu mësova për guximin tënd: Atë lloj guximi që të mbajti të patundur aty ku të tjerët u lëkundën.

Atë lloj guximi që frymëzoi një popull dhe që në fund të bëri hero për lirinë e vendit tonë.

Është e çuditshme, të jesh kaq krenare për dikë që nuk e kam takuar kurrë.

Të ndjesh një lidhje kaq të fortë sa të kapërcejë mungesën fizike dhe të rrëqeth shpirtin.

Çdo vit, ndërsa përkujtojmë ditën kur ti dhe shokët tuaj ia falët jetën Atdheut, zemra më mbushet me një krenari shumë të fuqishme – por edhe sytë me lot.

Lexo edhe:  Agim Bahtiri cak i kërcënimit, denoncon personin që e akuzoi se e la pa “bukë të gojës”

Lot pikëllimi për momentet që nuk i ndamë kurrë bashkë.

Si fëmijë, e kam ndjerë peshën e mungesës tande. Shumë herë jam mërzitur edhe me ty, e mllefosur me padrejtësinë e një fëmije që po rritet pa babanë e saj.

Pas çdo viti që kalonte, edhe mërzia ime zvogëlohej. Derisa rritesha, e kuptova se jeta jote na ishte bërë dhuratë. Jo vetëm mua – por tërë Kosovës.

Ti besove në një të ardhme, në të cilën, fëmijët e Kosovës, mund të frymojnë pa hijet e tiranisë e frikës.

Prandaj, sot, në përvjetorin tënd, por edhe në prag të ditëlindjes tënde që e ke nesër, lotët e mi nuk janë më lot pikëllimi – por lot Krenarie.

Babi – kam përshkuar rrugët që ti me shokë keni shtruar me sakrificën tuaj – dhe po jetoj nën qiellin e pastër të Kosovës, pa frikë.

Babi- heroizmi dhe sakrifica jote është mesazhi më i shtrenjtë jetësor për mua- që të jetoj plotësisht dhe që gjithmonë të luftoj për atë që është e drejtë.

Babi – të premtoj që gjithmonë në jetë do ta nderoj kujtimin tënd dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës.

Do t’ua përcjelli historinë e sakrificës tuaj edhe fëmijëve të mi një ditë, duke i siguruar që liria për të cilën keni luftuar të mos merret kurrë si e mirëqenë.

Babi- edhe pse nuk jemi takuar kurrë, zemra ime të njeh.

Dhe çdo hap që hedh në këtë tokë të lirë, çdo frymë lirie që gëzoj, të mbaj ty me vete.

Ti je heroi im, frymëzimi im, ylli im udhërrëfyes.

Me gjithë dashurinë dhe krenarinë në botë,

Vajza jote,

Lexo edhe:  Vetura godet një vajzë në Prishtinë, largohet nga vendi i ngjarjes

Krenarja! 🤍