Pronarin e lokalit në Viti e zë taksirati me dy vëllezërit e dehur, arrestohet pasi i rrahu duke i larguar nga lokali

Si pasojë e humbjes së vetëdijes nga përdorimi i alkoolit, shumë persona përfundojnë në telashe për shkak të veprimeve të tyre të pakontrolluara. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një kafene në Viti.

Sinjali mëson se e gjithë ngatërresa ka ndodhur derisa një person kishte qenë bashkë me vëllain e tij duke pirë birra në kafenenë ‘Times’, ku kishin filluar që t’i fyejnë kamerierët që po kryenin punën e tyre aty. Me të parë që situata ka dalë jashtë kontrollit dhe dy vëllezërit nuk janë në gjendje të mirë, pronari i kafenesë kishte tentuar që t’i largojë ata nga lokali.

Aty i dyshuari kishte hasur në rezistencë, me ç’rast dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy vëllezërit, ku njërit prej tyre i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka u desh që të marrë ndihmë mjekësore në spital.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar pronarin e kafenesë, të cilin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj 45-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa ndaj dy vëllezërve është iniciuar rasti për veprën ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.

Lexo edhe:  Një grua shtatzënë sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë