Flasin nga Policia e Kosovës: Situata në veri është e qetë, zyrtarët po qëndrojnë pranë objekteve komunale

Pas një dite tensionesh në Veri, situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e sotëm është e qetë.

Edhe për sot janë paralajmëruar protesta, mirëpo deri më tash nuk ka pasur incidente, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia Rajonale në Veri, teksa është bërë e ditur se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale atje.

“S’kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha Veton Elshani.

Ndryshe, nga përplasja e djeshme rreth 25 ushtarë të KFOR-it u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

Tensionet në veri u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Lexo edhe:  Armët u gjetën në vendin ku hidhen mbeturinat – Detaje nga aksioni i policisë në Vushtrri