Pronari i “Telkos” rrëfen se si ia kërkuan 25 mijë euro ryshfet
Pronari i “Telkos” dhe televizionit “Tëvë 1”, Elhami Haziri ka rrëfyer se ish-drejtor i Administratës i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Arben Bilalli, i kishte thënë se ish-kryeshefi Luan Latifi kërkonte 25 mijë euro që të kryente punë lidhur me mos raportimin e saktë të shtrirjes së rrjetit nga kompania e tij,“Telkos”.
Në gjykimin për këtë rast është dëgjuar dëshmia e Hazirit.
Siç shkruan “Betimi për Drejtës”, Haziri ka deklaruar se operatori “Telkos” mbulon shumicën e komunave të Kosovës me shërbime dhe se deri në vitin 2019 nuk kishin pasur probleme me KPM, deri me ardhjen e ish-kryeshefit, tani më të akuzuarit Luan Latifi, i cili kishte bërë disa ndryshime në rregullore.
“Prap kom vendos me i incizu takimet me radhazi që i kem pas. Arbeni mu ka drejtu më ka thënë kur të shkojsh me bo pazar diku nuk duhesh me u livdu duhesh me u shit si fukara, kuptova që e kanë ngrit pazarin, tha Luani pi kërkon 25 mijë euro”, deklaroi dëshmitari Haziri.
Tutje, dëshmitari Haziri deklaroi se ish-drejtor i Administratës të KPM-së, Arbeni kishte thirrur drejtorin Enver Berisha dhe i kishte thënë se si i kishte treguar Elhamia tani më të akuzuarit Latifi që ai i kishte thënë që të bisedonte me tani.
Më pas, Arbeni i kishte thirr në takim ku të njëjtin kishin vendosur të incizonin bisedën pasi sipas tij, kishin parë elemente korruptive në këtë situatë dhe i njëjti i kishte thënë pse nuk ke kryer punë me tani më të akuzuarin Latifi ashtu siç i kryejnë të gjithë operatorët e tjerë.
Sipas dëshmitarit Haziri, i njëjti i kishte thënë pse a merr para tani më i akuzuari Latifi, ku Arbeni i ishte përgjigjur se merr para edhe nga operatorët e tjerë dhe se i akuzuari Latifi ka hyrë edhe në kredi për të ardhur në këtë pozitë.
Dëshmitari Haziri tha se Arbeni i kishte thënë se pasi që nuk ke kryer punën, do mundohej ai që të kryente ose do ta kryenin disa shokë të tij që e kishin sjell në këtë pozitë tani më të akuzuarin Latifi por ata kushtojnë më shtrenjtë.
Ai tutje deklaroi se kishte shkuar përsëri që të takohej me të akuzuarin Latifi dhe se i kishte treguar se nuk kryer punë me Arbenin dhe se i njëjti i kishte kërkuar para që të zgjedh problem ku i njëjti i ishte përgjigjur mos i jep para.
Tutje, dëshmitari Haziri tha se Arbeni kishte lënë takim përmes Enverit në KPM, ku i njëjtit i kishte thënë tani më të akuzuarit Latifi se më shumë se 10 mijë euro nuk po i japin dhe se i akuzuari Latifi e kishte thirrur ndërsa Arbeni nuk i ishte përgjigjur.
Sipas dëshmitarit Arbeni tani më i dënuar për këtë çështje i kishte thënë se po tentonte që të kryente punë me 15 mijë euro nëse jo i akuzuari Latifi nën 20 mijë euro nuk pranon, dhe më pas i njëjti i kishte njoftuar se nën 20 mijë euro nuk munde të kryente punë.
Pas kësaj dëshmitari Haziri tha se kishte lënë takim me Arbenin në KPM ku kishte shkuar vetëm ku Arbeni i kishte thënë se sot duhet ta kryejnë punën se kishte për të shkuar në pushim dhe duhej të dorëzonte raportin ku “ Telkos” mund të gjobitej ose të shkonte në komision për mos raportim.
I njëjti i kishte treguar se nuk i kishte 20 mijë euro dhe se duhej të bisedonte me bashkëpronarët për të siguruar atë shumë të parave, por Arbeni i kishte thënë nuk ka lidhje çfarë shume parash është vetëm që ta rehatojnë tani më të akuzuarin Latifi.
Kurse, dëshmitari Haziri tha se atë ditë kishte paraqitur rastin në polici ku Arbeni në vazhdimësi po e telefononte dhe në bashkëpunim me policinë kishin lënë takim në Gjilan me Arbenin për shkak se pasi që t’i merrte mjetet i njëjti t’ia dorëzonte tani më të akuzuarit Latifi.
Pasi që ishin vonuar procedurat e policisë sipas dëshmitarit Haziri ishte bërë mbrëmje dhe ishin takuar në parkingun e restorant “ Garden” në Gjilan ku Arbeni kishte shkuar në veturën e dëshmitarit ku i njëjti i kishte thënë që vetëm 8 mijë euro kishte mundur t’i siguronte.
Sipas dëshmitarit Haziri incizimet ishin bërë me pajisje të policisë ku edhe policia kishin qenë afër me vetura civile afër, dhe se ai i kishte thënë që ta thërriste tani më të akuzuarin Latifi që të sigurohej që parat po i merr ai ku i njëjti e kishte thirrur dhe i kishte thënë që puna është kryer.
Tutje dëshmitari Haziri tha se ia kishte dhënë paratë Arbenit dhe aty ishin përshëndetur.
“Jemi kthy te vetura Arbenit ja kam jep paret i thash njehi tha jo tha s’po i njehi se po të besoj aty jemi përshëndet dhe më ka thënë a ma bënë hallall se të kom shumë presion po edhe mu mka bo presion Luani”, deklaroi dëshmitari Haziri.
Në fund dëshmitari Haziri tha se pas arrestimit tani më të akuzuarit Latifi dhe të dënuarit Bilalli ju kishte ardhur vendimi nga KPM për të paguar taksën në mënyrë të rregullt dhe nuk kishte pasur asnjë vendim për shkelje.
Duke përgjigjur në pyetjen e mbrojtjes së palës së dëmtuar, avokatit Naim Rudari dëshmitari Haziri tha se rregullorja nuk ishte ndryshuar në tërësi por vetëm një nen i saj i cili kishte shkaktuar probleme.
Sipas dëshmitarit Haziri takimi në Gjilan për të ia dhëna paratë ishte caktuar nga Arbeni për shkak se aty kishte për të ia dhënë paratë tani më të akuzuarit Latifi ,sepse Arbeni jetonte në Prishtinë.
Ndryshe, i pranishëm në këtë seancë ishte edhe dëshmitari Enver Berisha.
Pasi që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi kishte një çështje me prioritet shqyrtimi i sotëm u ndërpre i radhës pritet të mbahet më 8 nëntor të këtij viti.
Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.
Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.
Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.
Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.
Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.
Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.
Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.